Projects / News


  • Comments: 0
  • 31 May 2014 13:15
  • in News
  • by naser
  • Visits: 1450
  • Last Modified: 31 May 2014 13:20
  • (Current Rating 0.0/5 Stars) Total Votes: 0

U mbajt shkolla e parë verore –

0 0

Ashtu siç ishte planifikuar, prej 21 deri më 25 maj u realizua programi "Skopje Summer School 2014” (Shkolla Verore e Shkupit 2014) me temë "Interpretimet Alternative të Modernitetit në Ballkan”, që ishte organizuar nga Fondacioni Qendra e Civilizimit Islam (FOCIC).

Gjatë një afati 16-ditor në këtë shkollë kanë aplikuar rreth 80 studentë nga shtete të ndryshme: Kanadaja, SHBA-të, Gjermania, Turqia, Irani, Malajzia, Egjipti, Sllovakia, Rumunia, Bosnja, Kosova, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia. Në program u pranuan gjithsej 60 kandidatë, kryesisht nga shtetet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Sllovakinë, Rumaninë, Çekinë, Gjermaninë dhe Holandën. Profesorët që morën pjesë në këtë eveniment ishin nga shtete të ndryshme, si nga: SHBA-të, Argjentina, Turqia, Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia.

Shkolla verore u hap përmes një ceremonie simbolike në hotelin "Holiday Inn”, ku morën pjesë anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të FOCIC-it, anëtarët e Bordit Këshillues të FOCIC-it, si dhe profesorët mysafirë të ftuar enkas për shkollën verore. Takimin e hapi z. Latif Mustafa, i cili i përshëndeti mysafirët në emër të kryetarit të Fondacionit, z. B. Benjamin Idriz dhe e shpalosi idenë dhe qëllimin e organizimit të kësaj shkolle verore, që po organizohej për herë të parë në Maqedoni. Fjala përshëndetëse po ashtu iu dha profesorëve ndërkombëtarë. Pas fjalimeve përshëndetëse, programi u begatua edhe me muzikë klasike osmane dhe krejt në fund erdhi kokteji, i cili u shtrua për hir të mysafirëve për t’u njohur me njëri-tjetrin.

Dy ditë e ardhshme u shoqëruan me ligjërata intensive dhe të ngjeshura për pjesëmarrësit. Ciklin e ligjëratave e hapi profesori Ferid Muhiq, i cili shpalosi historikun e procesit të modernitetit, siç parapëlqente ai ta quante projektin e modernitetit, pa e shpërfillur edhe etimologjinë dhe kuptimin e fjalës moderne. Profesori Muhiq u përqendrua më tepër në konsekuencat që sollën "copëzat” e modernitetit në Ballkan, duke filluar nga periudha e tanzimatit në Perandorinë Osmane. Ligjëruesi i radhës ishte Hatem Bazian nga Universiteti i Berkeley-it nga Kalifornia e SHBA-ve, i cili u fokusua në problemin e islamofobisë dhe trajtesën e "fabrikimit” të tjetrit si fenomen post-kolonial në Lindjen e Mesme dhe në të gjitha ish vendet e Perandorisë Osmane. Ai po ashtu foli edhe për problemin izraelito-palestinez dhe konsekuencat e tij në rajon.

Ligjërues tjetër ishte edhe Santiago Slabodsky nga Argjentina, ligjërues në Universitetin e Berkeley-it në SHBA, i cili u fokusua në çështjet hebraiko-shqiptare dhe shpëtimin e hebrenjve nga ana e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përtej kësaj ai u fokusua në ndryshimin e qasjes ndaj "tjetrit” dhe fabrikimin e armiqve të paqenë si fenomen modern.

Ligjëruesit e sesionit të dytë ishin Hatem Bazian, Hysamedin Feraj nga Universiteti i Tiranës dhe Fikret Karçiqi nga Universiteti i Sarajevës. Në këtë sesion ligjëruesit iu përkushtuan më tepër krijimit të nacionalizmave në Ballkan dhe Lindjen e Mesme. Profesori Feraj u përqendrua në pasplanin teorik dhe universal, sipas tij, të nacionalizmit me frekuenca primordiale, si një proces formimi të pashmangshëm, të cilin e kishin përjetuar edhe popujt e Ballkanit. Në anën tjetër profesori Hatem Bazian shpjegonte dhe mbronte tezën se nacionalizmat në botën arabe ishin një projekt, që kulminoi me të ashtuquajturën "Revolta e madhe Arabe”, projekt ky i financuar nga britanikët kundër Perandorisë Osmane, duke përfshirë këtu edhe shfrytëzimin e elitës hebraike në këto troje.

Në ditën e dytë u vazhdua sërish me ligjërata të ngjeshura me sociologun nga Turqia, profesorin Ferhat Kentel. Profesori Kentel vuri në spikamë kritikën mbi pamundësinë e kontekstualizimit të shtetit-komb dhe konfrontimin e tij me identitetet kulturore. Ai mori si shembull trajtese Turqinë dhe dështimin e nacionalizmit turk për ta ndërtuar Turqinë dhe theksoi gjendjen pas-nacionaliste, gjendje këto që nxjerrin në pah dallimet kulturore, mundësitë për ta ruajtur paqen shoqërore, diskutimin dhe njohjen më të mirë të njëri-tjetrit. Ligjëratën tjetër vazhdoi profesori Feraj, i cili nacion e shihte si fazë fillestare përfundimtare të njerëzimit dhe se, sipas tij, pamundësia e kozmopolitanizmit ishte evidente.

Ligjërata e fundit e sesionit të paraditës ishte ajo e ligjeruesit Santiago Slabodsky, profesor në "Claremont School of Theology” nga Kalifornia e SHBA-së. Përmes një studimi të gjerë që kishte bërë, ai foli sesi hebrenjtë janë sfiduar me modernitetin dhe ballafaqimin e tyre. Ai po ashtu shpjegoi mënyrën sesi hebrenjtë kanë kundërshtuar modernitetin, duke shfrytëzuar tekstet e tyre fetare të Talmudit, por njëkohësisht paraqiti kritikën mbi interpretimet kolonialiste të Midrashit (komentit mbi tekstet fetare hebraike), si rezultat i të cilave sot ekziston një shtet imperialist si ai i Izraelit.
Në sesionin e dytë të ditës së dytë ligjëruan Ljubomir Frçkoski, profesor nga Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Ali Pajaziti profesor në Universitetin e Evropës Juglindore dhe profesori Ferid Muhiq.

Profesori Ljubomir Frçkoski u fokusua në kritikën e tij ndaj formacioneve të shoqërisë civile, të cilat për momentin ekzistojnë në dy forma kryesore: Kvango-Kuazi NGO dhe Mango-Mafia NGO. Nëpërmes këtyre dy llojeve luftohen shtetet totalitare, ashtu siç ai e quante ai edhe shtetin e Maqedonisë. Profesor Ali Pajaziti, po ashtu si profesori Frçkoski, u fokusua në interpretimin e debatit dhe hapësirës publike në Maqedoni. Ligjërata e tij fokusohej në kritikën rreth prishjes së rendit publik përmes projektit "Shkupi 2014”, që në vete nuk ishte një projekt arkitekture, por arki-torture. Krejt në fund, cikli i ligjëratave u mbyll me ligjëratën e profesorit Muhiq "Apologjia e Ballkanit”, me ç’rast ai e krahason alegorinë e mbrojtjes së Sokratit me alegorinë e mbrojtjes ose apologjisë së Ballkanit. Edhe pse Sokrati në fund vdes, njëjtë ashtu si Ballkani, por që të dy fitojnë pavdekësinë në saje të akuzave që u bëhen. Ligjërata me ton kritik i drejtohet Evropës, e cila si burim të qytetërimit e kishte Ballkanin, kurse tash akuzat më të rënda që ajo ia drejton Ballkanit është mungesa e qytetërimit dhe kulturës, pa llogaritur se vetë emri i saj Evropa është me gjenezë ballkanike, gjithnjë sipas profesorit Muhiq.

Pjesa e dytë e programit ishte e paraparë të jetë ekskursion dyditor nëpër Maqedoni. Studentët patën rastin t’i vizitojnë disa monumente të ndryshme kulturore, përfshirë Xhaminë e Larme në Tetovë, Teqenë e Harabati Babës në Tetovë, kishën e Shën Sofisë dhe Shën Pantelejmonit, si dhe objekte të tjera me rëndësi. Studentëve iu sigurua një natë fjetje në hotelin "Drim” në Strugë.
Përmes këtij programi u synua që të jepen mendime alternative për interpretimin e modernitetit në Ballkan dhe kështu u hap një mundësi e re debatimi për vetë natyrën e problematikës dhe kompletimin e modernitetit si gjendje dhe filozofi mendimi. Në fund të programit studentët u pajisën me certifikata dhe të gjithë pjesëmarrësve iu dhurua libri "Architecture in Macedonia – The Ottoman Heritage” nga Teresa Waltenberger, i botuar nga Logos-A. Shkolla verore "Interpretimet alternative të modernitetit në Ballkan” është organizimi i parë i llojit të tillë nivel rajonal dhe ndër të parat që prekin një tematikë mjaft sfiduese siç është modernizmi si proces apo moderniteti si gjendje.

Kyçja e Ballkanit në debatin botëror të modernitetit hap mundësitë e reja të avancimit intelektual dhe ofrimit të qasjeve të reja rreth komentimit të modernitetit dhe mundësive të ri-mendimit të trajektores së modernitetit Ballkanik.

Share
  • Twitter
  • del.icio.us
  • Digg
  • Facebook
  • Technorati
  • Reddit
  • Yahoo Buzz
  • StumbleUpon

No Comments Yet...

Leave a reply

Name: Required Field.
Email Address: Required Field. Not visible
Website:
Captcha Code: Required Field.
Comment: Required Field.