Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar.
(En'am: 159)
Drejtojuni Atij me pendesë,
frikësojuni Atij dhe falni namazin e mos u bëni si ata, që i shoqërojnë Atij
diçka tjetër (në adhurim), si ata, që fenë e vet e kanë përçarë dhe janë ndarë
në grupe, e ku çdo grup është i kënaqur me atë që ka.
(Rum: 31-32)
Pas
informacionet se në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut është
regjistruar një grup religjioz/bashkësi fetare me emrin "Bashkësia Islame
Selefiste ‘Dar el-Hadith’”, madje duke pretenduar të mbledhë fonde dhe duke
shpresuar të marrë xhami nën kontrollin e saj, ndjejmë përgjegjësi islame që të
reagojmë mbi këtë dukuri, duke e gjykuar këtë akt si përçarës, të shëmtuar dhe
të dëmshëm për identitetin dhe historinë e Islamit në këto troje.
Sa
për rikujtim, Bashkësia Islame (pavarësisht se në krye të saj shpeshherë ka
pasur drejtues për të cilët besimtarët mund të kenë pasur vërejtje) ka qenë
ombrella në të cilën e ka gjetur veten secili besimtar mysliman i hapësirës
sonë dhe hija e saj ka qenë e mjaftueshme dhe e vetme për ta përfshirë secilin
që është identifikuar me fenë islame te ne. Dhe, ky institucion – pavarësisht
kush e ka drejtuar – ka qenë dhe mbetet metafora e unitetit të synuar për
rrethanat tona. Prandaj, themelimi i bashkësive islame paralele, që do t’i
bëjnë rivalitet Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, është vetëm
përçarje, një "Mesxhidu Dirar”, madje më shumë se kaq, themelimi i një
bashkësie tjetër me atributin "islame” është një plan ogurzi i qarqeve
antimuslimane, të njohura me agjendat e tyre për përçarjen e komunitetit
mysliman dhe copëzimin e tij deri në fragmentim, që do ta bëjë të parëndësishëm
zërin e saj në hapësirën tonë. A mund imagjinojmë se si do të reagonte Kisha
Ortodokse Maqedonase nëse në organet e shtetit do të regjistrohej një "kishë
ortodokse maqedonase” tjetër? Apo, të mos shkojmë më larg, e dimë si përfundoi
Arqipeshkopia e Ohrit. A thua pse për "bashkësi islame” nuk është problem të
themelohen disa sosh?
Nisur nga kjo, përmes kësaj shkrese – të shtyrë vetëm nga përgjegjësia islame dhe intelektuale – ne kërkojmë nga institucionet e shtetit që ta çregjistrojnë atë bashkësi fetare dhe të mos lejojnë që të themelohet asnjë organizatë me emrin "bashkësia islame”. Po ashtu i drejtohemi edhe përfaqësuesit dhe mbështetësve të saj që të heqin dorë nga këto plane përçarëse dhe të mos bëhen mashë për përçarjen e besimtarëve myslimanë! Në të kundërtën, ai dhe grupi i tij do të kujtohet si përhapës të fitnes dhe përçarjes, ndërsa historia e myslimanëve të nënqiellit tonë do t’i gjykojë gjithnjë si tradhtarë të ummetit!
Me
dashamirësi islame!
Dr. B.Benjamin Idriz,
kryetar i Fondacionit "Qendra e Civilizimit Islam” – Shkup
Dr. Adnan Ismaili,
nënkryetar i Fondacionit "Qendra e Civilizimit Islam” – Shkup
Shkup, 19.02.2021
No Comments Yet...
Leave a reply